Rreth nesh

Historiku i shkurtër i Shoqatës Atdhetare «Hazis Lila»

Shoqata Atdhetare Kulturore Artistike «Hazis Lila», Kalabardhë u themelua më datë 09.09.2002 me nismën e intelektualëve të Kalabardhës dhe me vendim nr. 411 regj, datë 17.10.2002, të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë është regjistruar si person juridik. Ajo ka selinë në Tiranë dhe degët e saj në disa rrethe të vendit.

Shoqata është jo fitimprurëse. Burimet e financimit janë kuotizacionet e anëtarëve të saj, dhuratat dhe donacionet e ndryshme. Gjithashtu Shoqata është jo politike, gjithëpërfshirëse për të gjitha shtresat shoqërore patriotike të krahinës.

Misioni i kësaj Shoqate është evidentimi, njohja, promovimi dhe publikimi i vlerave të mëdha patriotike, etnografike, historike e folklorike të trevës së Kalabardhës, si dhe angazhimi në veprimtari e projekte për zhvillimin kulturor dhe social-ekonomik. 

Gjatë dy dekadave të veprimtarisë së saj, Shoqata ka zhvilluar mjaftë aktivitete njohje e promovimi për figura të shquara atdhetare të krahinës dhe ngjarje të shënuara historike si luftërat e zhvilluara nga popullsia kalabardhase nën udhëheqjen e prijësve të saj popullor e atdhetar në mbrojtje të trojeve të veta dhe të identitetit të saj iliro-arbëror. Ajo vepron me një program të posaçëm, fokusi kryesor i saj aktual është rritja e vetëdijes për përkatësinë tonë iliro-arbërore në mbrojtje nga sulmet nacionaliste të sllavëve ndaj krahinës sonë kreshnike, si dhe zhvillimi i projekteve konkrete për trashëgiminë historike-kulturore të krahinës siç janë ngritja e një shtëpie muze për shtëpinë e gjyshit të Mustafa Qemal – Ataturkut, në Steblevë, ngritja e memorialëve për Qemal Stafën, Hasan Muglicën, për masakrën e Qafë-Pervallit etj.    

Kryesia e Shoqatës, në mbledhjen e saj të datës 24.10.2021, bazuar në statutin e saj, bëri riorganizimin e Shoqatës dhe zgjodhi organet e reja drejtuese, me qëllim rritjen e frymës vepruese dhe forcës organizuese e drejtuese në përshtatje me kërkesat e sotme.  

Shoqata Atdhetare “Hazis Lila”, Kalabardhë​ mirëpret çdo lloj kontakti dhe interesimi. Përmes formularit në të djathtë mund të na kontaktoni ose duke telefonuar në +355 69 368 7379

Përshendetje, këtu mund të na kontaktoni