
Toponimin antik të saj, të vendosur nga vetë popullsia vendase, fiset ilire, e kanë ndryshuar të huajt në rrjedhën historike. Emri i lashtë shqip i kësaj treve iliro-arbërore është Kalabardhë. Burrat e saj kanë ushtruar historikisht profesionin e ndërtimtarisë dhe në atë kohë ishin të mirënjohur si mjeshtër të ndërtimit të kalave, në trojet shqiptare e në gjithë trevën e Ballkanit. Ndaj, krahina e tyre u quajt Kalabarda (Kalabardha). Kur erdhën sllavët në këtë krahinë, në shekullin e 8-të, nuk mund të artikulonin emrin e saj Kalabarda, por me “ll” – Kallabarda dhe më vonë u transformua në Gollobordë. Kujtojmë vetëm faktin që banorët e shumtë kalabardhas, që ikën në Itali në shekullin e 15-të, pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së vendit nën pushtimin osman, duhet të kenë ndikuan dhe mbajtur emërtimin e toponimit nga erdhën – Kalabardha.
Emri Gollobordë, në sllavisht, nuk është i lidhur me tokën e krahinës si të zhveshur nga bimësia. Pretendimi i toponimit bazuar në pamjen e terrenit nuk qëndron, pasi territori i Kalabardhës është shumë i veshur në bimësi, më tepër se shumë krahina të tjera, se ka parkun natyral kombëtar Shebenik-Jablanicë, masivet pyjore etj. Pra, emërtimi Gollobordë është vendosur nga sllavët për qëllimet e tyre zaptuese të kësaj kalaje iliro-arbërore, si shumë emërtime të vendeve e zonave të tjera në tokat shqiptare që ata pushtuan deri në bregdetin jugor të Shqipërisë si Novoselë – për fshat i ri, Çorovodë – për Ujë të Zi, Smokthinë – për vend të mjegullës, Zagori – për vend të lartë etj. Ky emërtim nuk e nderon këtë trevë dhe këtë popullsi kreshnike shqiptare, se nuk e përfaqëson identitetin e vërtet. Prandaj duhet ndërruar sa më parë dhe t’i vihet identiteti i vërtetë: Kalabardhë, sepse ka të bëj me ruajtjen e identitetit dhe jo me ruajtjen e historisë. Historia të qëndrojë e shkruar nëpër letra, nëpër shkrime dhe jo në toponime, që lënë shteg për synime nacionaliste, siç po përdoret ka shekuj.
Propozimi i këtij intelektuali-bir i denjë i atij vendi, pra Kalabardhës, është mëse i gjetur, i goditur dhe në kohë.
Jemi i vetmi vend që për fat të keq, ruajmë ende emërvendet që na lanë pushtuesit ndër shekuj.
E përshëndes këtë nismë të mençur të intelektualit Kadri Dauti. Dhe mendoj se edhe intelektualë të tjerë do t’i bashkohen kësaj nisme.
Profesor Kadri Dauti, bën atë që do duhej ta bënin institucionet e shtetit. Dhe bën shumë mirë!